Leviatan i brishte?
Mbi aleancën mes Trump dhe sektorit të teknologjisë
Cédric Durand, 30 janar 2025, New Left Review
Në novelën The Man Without Qualities (1930) te Robert Musil, në prag të Luftës së Parë Botërore në Vienë, gjenerali Stumm von Bordwehr pyet: "Si mundet dikush të dijë nëse ngjarja ku është përfshirë do jetë e mirë apo jo?" Përgjigjja e tij është se "e vetmja gjë që mund të bëjmë është t'i themi vetes se do jetë e mirë. Nëse do ma lejoni një paradoks, do thoja se historia e botës shkruhet para se të ndodhë; nis gjithonë si një farë thashethemi." Javën që shkoi, me kthimin e Dondal Trump në Shtëpinë e Bardhë, thashethemet gëlonin rreth gjigantëve të teknologjisë të pranishëm në inaugurimin e tij. Në rradhën e parë ishin ulur Mark Zuckerberg i Meta, Jeff Bezos i Amazon, Sundar Pichai i Google and Elon Musk i Tesla, si dhe Tim Cook i Apple, Sam Altman i Open AI dhe Shou Zi Chew i Tik Tok disa rradhë më tej. Pak vite më parë këta gjigandë të teknologjisë mbështesnin zëshëm Biden dhe Demokratët. "Ishin të gjithë më të, ndërsa tani janë me mua," tha Trump. Pyetja qëndrom te natyra e ketij ripozicionimi: a është kjo një kthesë e thjeshtë oportuniste, brenda parametrave të përhershëm të sistemit? Apo është një moment thyerje që ja vlen të quhet një ngjarje e madhe historike? Lë të rrezikojmë me hipotezën e dytë.
Siç e dimë, Trumpit i pëlqejnë dhuratat luksoze. A nuk duket rezidenca e tij në Mar a Lago si një Versajë në miniaturë ku shkojnë e vijnë oborrtarë? Megjithatë, presidenti nuk synon të jetë si Luigji XIV. Projekti i tij nuk është centralizimi i pushtetit rreth shtetit, por fuqizimi i interesave private në dëm të institucioneve publike. Ai synon të kthejë mbrapsht përpjekjet gjysmake të administratës Biden për ndërhyrje të shtetit në ekonomi duke zhbërë subvencionet e gjelbra, politikat anti-trust dhe iniciativat e taksave, për t'i lënë hapësirë veprimi monopoleve të korporatave brenda dhe jashtë vendit.
Ky trend shihet qartë në dy nga urdhrat ekzekutivë të firmosur prej tij në ditën e inaugurimit. I pari revokonte urdhrin e epokës Biden që kërkonte nga "zhvilluesit e sistemve të Inteligjencës Artificiale të ndanin rezultatet e testeve të tyre me qeverinë amerikane pasi ato mund të vinin në rrezik sigurinë kombëtare, ekonominë, shëndentin apo rendin publik të SHBA-së." Ndikimi i autoriteteve publike në zhvillimin e IA, megjithëse minimal, po zhbëhet plotësisht. Urdhri i dytë shpallte krijimin e Departamentit e Efiçencës së Qeverisë (Department of Government Efficiency, DOGE) nën drejtimin e Elon Musk. Falë një riorganizimi të Shërbimeve Digjitale të SHBA gjatë presidencës së Obama, që integronte sistemet informative mes sketorëve të ndryshëm të shtetit, DOGE do ketë akses të palimituar në të dhëna të paklasifikuara nga çdo agjenci qeveritare. Detyra e parë do jetë "reformimi i procesit federal të punësimit dhe rikthimi i meritokracisë në administratë", duke bërë të mundur që punonjësit e shtetit "të jënë të përkushtuar ndaj vlerave, ideve dhe interesave amerikane", dhe "t'i shërbejnë me besnikëri degës së ekzekutivit." DOGE gjithashtu do "integrojë teknologji moderne" në proces, që do të thotë se përgjegjësia e mbikqyrjes së punonjësve qeveritarë do i lihet në dorë Musk dhe sistemeve të tij kompjuterikë.
Në orët e para të mandatit të dytë të Trump, sipërmarrësit e teknologjisë arritën të mbronin ndërmarrjet e tyre më fitimprurëse nga kontrolli publik, si dhe të fitonin influence domethënëse në burokracinë e shtetit. Administrata e re nuk ka për qëllim të përdorë shtetin federal për të unifikuar klasat sunduese nën një strategji hegjemonike. Përkundrazi, ajo po përpiqet të çlirojë fraksionin më ambicioz të kapitalit nga shtrëngimet federale, si dhe të vendosë aparatin administrativ nën kontrollin algoritmik të Musk.
Përqëndrimi i pushtetit në duart e tekno-oligarkëve nuk është i pashmangshëm. Në Kinë, me gjithë luhatjet e herëpashershme, është shteti ai që vendos mbi objektivat zhvillimorë, dhe sektori i teknologjisë detyrohet t'i përshtatet. Edhe në perëndim ka pasur raste kur institucionet publike kanë vepruar kundër monopoleve të korporatave, siç bëri Kongresi, Departamenti i Thesarit dhe Rezerva Federale në 2021 kur bllokuan projektin e kriptovalutës Libra të Facebook. Sipas ekonomistit Benoît Cœuré, "problemi më i rëndësishem politik i kohëve tona është balanca e fuqisë mes qeverisë dhe sektorit Big Tech në zhvillimin e mënyrave të reja të pagesave dhe ruajtjen e të dhënave rreth tyre." Trump po e zhvendos balancën edhe më tej në favor të sektorit teknologjik. Pas vendimeve ekzekutive ai i kërkoi rregullatorëve të nxisnin investimet në kriptovaluta, njëkohësisht duke i ndaluar bankës qendrore zhvillimin e një valute të tillë që do shërbente si kundërpeshë. Në të ardhmen e afërt mund të presim dhe politika si derregullim, ulje taksash, kontrata qeveritare dhe mbrojtje ligjore.
Ky projekt radikal i superfuqisë globale do ketë pasoja serioze, dhe do riformatojë marrëdhëniet midis kapitalit dhe shtetit, klasave dhe kombeve në vitet në vijim. Një nga rreziqet është përshpejtimi i procesit që më herët e kam përshkruar si "teknofeudalizëm". Bashkë me monopolizimin e dijes dhe të dhënave nga korporatat, ato po centralizojnë edhe mjetet algoritmike të koordinimit të aktiviteteve njerëzore, nga praktikat e punës te rrjetet sociale dhe tendencat e blerjeve. Falë paaftësisë së treguar nga institucionet publike në organizimin e shoqërisë, kjo detyrë po i lihet në dorë sektorit Big Tech, i cili po fiton aftësi të jashtëzakonshme për të ndikuar sjelljet individuale dhe shoqërore. Sfera publike është shkrirë në rrjetet sociale, fuqitë monetare po transferohen në kriptovaluta, dhe Inteligjenca Artificiale po kolonizon atë që Marksi e quante "intelekt i përgjithshëm", duke i paraprirë përvetësimit gradual të pushtetit politik nga interesa private.
Dobësimi i institucioneve ndërmjetësuese shkon krah për krah me impulsin antidemokratik – ose e thënë më saktë, me urrejtjen ndaj barazisë. Që prej publikimit të manifestit tekno-optimist ‘Cyberspace and the American Dream’ (Hapësira kibernetike dhe ëndrra amerikane) në 1994, Silicon Valley ka aderuar masivisht në parimin randian sipas të cilit pionerët krijues nuk duhen kufizuar nga rregulla kolektive. Sipërmarrësi ka të drejtë të shkelë mbi qëniet më të dobëta që duan ta kufizojnë: punëtorët, gratë, njerëzit e racializuar apo trans. Kjo shpjegon dhe konvergjencën mes liberalëve kalifornianë dhe të djathtës ekstreme, me Musk dhe Zuckerberg që kanë marrë rolin e luftëtarëve kulturorë në një betejë për përmbysjen e kulturës woke. Qeverisja algoritmike legjitimon të drejtën për të "inovuar" pa i dhënë llogari demosit.
Ky regjim i ri akumulimi zëvendëson gjithashtu logjikën e prodhimit dhe konsumit me atë të zhvatjes dhe varësisë. Grykësia për fitime mbetet po ajo si në periudhat e më hershme të kapitalizmit, por motivimi i Big Tech është unik. Nëse tradicionalisht kapitali investon për të ulur kostot ose për të plotësuar kërkesën, kapitali teknofeudal investon për të vënë nën kontroll aspekte të ndryshme të aktivitetit shoqëror, duke krijuar një varësi dinamike që zë në kurth individët, bizneset dhe institucionet. Kjo ndodh pjesërisht ngaqë shërbimet e orfuara nga Big Tech nuk janë mallra si të tjerat, por infrastrukturë kritike nga të cilat varet e gjithë shoqëria. Blackout-i i gjigantit Microsoft gjatë verës së 2024 shërben si rikujtesë se aeroportet, spitalet, bankat dhe agjencitë qeveritare tashmë varen nga këto teknologji, duke i mundësuar monopolistëve të faturojnë renta marramëndëse dhe të gjenerojnë rrjedha të pafundme të dhënash të monetizueshme.
Rezultati është një stanjacion i përgjithsëm i ekonomisë globale. Ndërmarrjet fitimprurëse në sektorët e tjerë po shohin dobësimin e pozitës së tyre në treg teksa bëhen gjithmonë e më të varur nga teknologjitë cloud dhe Inteligjenca Artificiale, ndërsa popullatat kthehen në subjekt zhvatjeje nga kapitali rentier. Nevoja në rritje e teknofeudalëve për burime sjell shkatërrim ekologjik gjithmonë e më të madh, dhe qendrat e procesimit të të dhënave, të etura për energji dhe emetuese të larta të dioksidit të karbonit, po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Rritja ekonomike ngadalësohet, polarizimi politik dhe pabarazitë ekonomike thellohen, dhe punëtorëve u mbetet të luftojnë me njëri-tjetrin për një pjesë gjithmonë e më të vogël të pasurisë.
Kjo situatë ngre pyetje të rëndësishme strategjike për të majtën. Si lidhet lufta kundër Big Tech me betejat ekzistuese antikapitaliste? Si ta kuptojmë internacionalizmin në një kohë kur pushteti i teknofeudalëve tejkalon kufijtë kombëtar? Në këtë rast mund të na vijnë në ndihmë një nga udhëzimet kryesore të veprës klasike të Mao ce Dunit Mbi kontradiktat (1937), përmbledhur shkurtimisht nga Slavoj Žižek si në vijim:
Kontradikta parësore (universale) nuk i mbivendoset kontradiktave të veçanta që shfaqen si dominuese në situata të caktuara – përkundrazi, përmasa universale gjendet pikërisht në këto partikularitete. Në çdo situatë konkrete, kontradikta dominuese shprehet përmes një kontradikte partikulare, dhe vetëm duke e trajtuar këte kontradiktë partikulare si dominuese, dhe duke ja nënrenditur asaj gjithë betejat e tjera, mund të luftojmë për zgjidhjen e kontradiktës parësore.
Sot, kontradikta universale mbetet shfrytëzimi kapitalist, që vë përballë kapitalin me punën e gjallë. Por ofensiva teknofeudale e Trump dhe Musk ka mundësinë ta ndryshojë këtë situatë, duke krijuar një kontradiktë të re mes Big Tech-ut amerikan dhe gjithkujt që shfrytëzohet prej tij. Nëse arrin puna deri këtu, detyra e të majtës ndryshon plotësisht. Mao, duke marrë si shembull luftërat koloniale të Kinës, thotë:
Kur imperializmi nis një agresion kundër një kombi të tillë, klasat e ndryshme të vendit bëhen bashkë kundër pushtuesit, me përjashtim të një numri të vogël tradhëtarësh. Atëhere, kontradikta kryesore bëhet ajo mes kombit dhe imperializmit, dhe gjithë kontradiktat mes klasave (përfshirë dhe atë që ishte kryesorja, ajo mes regjimit feudal dhe masave popullore) bëjnë një hap pas për t'i lënë vend të parës.
Në kontekstin e sotëm kjo nënkupton formimin e një fronti antiteknofeudal që shkon përtej së majtës dhe përfshin forca të ndryshme demokratike dhe fraksione të kapitalit që janë kundër Big Tech. Kjo lëvizje hipotetike do mund të adoptonte një "politikë digjitale të paangazhuar" me qëllim krijimin e një hapësire ekonomike jashtë kapjes monopoliste, ku do mund të zhvillohen teknologji alternative. Kjo do nënkuptonte forma të proteksionizmit digjital, si për shembull ndalimi i aksesit për kompanitë amerikane të teknologjisë dhe çmontimi i infrastrukturës së tyre kur është e mundur, si dhe një internacionalizëm të ri digjital, ku njerëzit mund të ndajnë zgjidhje teknologjike mbi baza bashkëpunuese.
Sigurisht që një aleancë e tillë do duhet të përballet me pengesa të ndryshme strukturore. Për shkak të ndërpenetrimit kompleks të interesave kapitaliste, me investime që lidhen njëri me tjetrin ndërmjet sektorësh dhe territoresh, është e vështirë të përcaktosh se cilat fraksione të kapitalit janë në krahun e Big Tech dhe cilat do mund t'i bashkoheshin opozitës. Duhet marrë parasysh edhe fakti se borgjezive kombëtare nuk mund t'u zësh besë kur bëhet fjalë për projekte zhvillimorë jashtë qëndrës imperiale: përgjithësisht u intereson më shumë pasurimi i tyre si rentierë se sa ndryshimet strukturore që do i jepnin fund varësisë. Ekziston gjithashtu rreziku se ky front antiteknofeudal, edhe nëse formohet, të bjerë pre e kapjes burokratike, duke ja besuar zhvillimin e alternativave digjitale ekspertëve dhe duke lënë jashtë masat popullore.
Pavarësisht gjithçkaje, miliarderëve të teknologjisë do u duhet të përballen me shumë pengesa. Projekti i tyre – të përdorin aleancën me Trump për të rrëzuar pengesat e fundit ndaj kontrollit algoritmik – ka një bazë shoqërore tmerrsisht të ngushtë, dhe shpejtësia e ngritjes së tyre do krijojë rezistencë si nga popullsia ashtu dhe nga elitat. Do duhet të përballet dhe me mjeshtërinë digjitale kineze, me rivalë si DeepSeek që synojnë të minojnë imazhin e pamposhtmërisë së Silicon Valley. Mos vallë teknofeudalizmi amerikan do rezultojë një Leviatan i brishtë? A do mbahet mend kthimi në pushtet i Trump si një "ngjarje e madhe", apo është e gjitha një thashethem i rremë?